Shkrime te ngjashme
PYETJE-PERGJIGJE
Kritika ndaj Ebu Hanifes dhe përgjigjet e tyre
Mosngritja e duarve në Namaz. Ja mbi 40 argumente pro medh’hebit hanefi
Therja Islame
- E premte, 11 Gusht 2011
- Shkruajtur nga Jusuf ZIMERI
Dispozita e therjes së kafshës është kusht i lejimit të ngrënies së mishit të kafshës që është e lejuar për myslimanin, sepse asnjë lloj mishi nuk është i lejuar të hahet nëse nuk bëhet therja islame, me përjashtim të mishit të peshkut dhe karkalecit, kurse urtësia e therjes është ruajtja dhe kujdesi ndaj shëndetit të njeriut. Një nga problemet jetësore me të cilat ballafaqohen jo vetëm myslimanët në Perëndim, por edhe qeveritë e vendeve perëndimore, është edhe metoda a mënyra e prerjes së kafshës. Ky mospajtim për mënyrën e therjes së kafshëve ka nxitur shumë studiues që të bëjnë kërkime shkencore si për aspektet negative, ashtu edhe për ato pozitive. Këto nxitje me të madhe lindën pas fushatës dhe apelit që bëri Këshilli për ruajtjen dhe përkujdesjen e kafshëve në Angli FAVC, më 10 qershor 2003, kur i apeloi Qeverisë Angleze që të parandalojë therjen e kafshës sipas metodës islame dhe çifute. Si arsyetim për marrjen e këtij vendimi apo ligji kishin vuajtjet e kafshës gjatë prerjes deri në momentin e daljes së shpirtit. Për këtë arsye Qeveria Angleze mori vendim për të hartuar ligjin ku do të theksohet nevoja e humbjes së ndjenjave të kafshës para therjes, e kjo metodë njihet si metoda e therjes pa ndjenja ose metoda magjepsëse.Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë krahasime në mes therjes islame dhe mënyrave të tjera të therjes, por çfarë duhet përmendur në këtë rast, janë hulumtimet e shumta shkencore që janë bërë kohët e fundit, sipas të cilave, me argumente bindëse, paraqiten disavantazhet dhe përparësitë e këtyre mënyrave. Një prej studimeve më të famshme që janë bërë në këtë lëmë, është studimi i Rebeka Smit (Rebecca Smith), anëtare e veterinarisë ndërkombëtare për kafshët “VIVA”. Rebeka në studimin e saj të metodës së prerjes së kafshës pa ndjenja, në mënyrë të detajizuar vuri në dukje rrezikun dhe dhembshmërinë e kafshëve të prera sipas metodës pa ndjenja, ngase ajo sqaroi se shumicës së kafshëve që theren sipas metodës pa ndjenja apo metodës magjepsëse, u rikthehet ndjenja e tyre gjatë gjakderdhjes para vdekjes së tyre. Një studiues tjetër i kësaj fusha është edhe studiuesi gjerman Shulc (Schultz), profesor në Universitetin e Hanoverit, i cili pas shumë studimeve, nxori këtë përfundim: Dhembja për shkak të tarifës cerebrale “magjepsëse” nuk mund të krahasohet me therjen e ligjshme, e cila shkakton shumë më pak dhembje. Pastaj ai sqaroi se metoda e therjes pa ndjenja shkakton ndaljen e shpejtë të funksionimit të zemrës, që do të shpinte në rrjedhjen e gjakut që gjendet në mish, dhe kështu do të bëhej pastrimi i mishit. Kushtet e therjes islame Që të mund të konstatohet se therja e kafshës është bërë sipas parimeve të Sheriatit islam, duhen plotësuar këto kushte: 1. Të përmendurit e Emrit të Allahut xh.sh. para therjes Të përmendurit e Emrit të Allahut xh.sh. në momentin e therjes së kafshës, është kusht për lejimin e ngrënies së mishit të kafshës së therur, e kjo mbështetet në ajete kuranore. Allahu xh.sh. ka thënë: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes) nuk është përmendur Emri i Allahut xh.sh., sepse vërtet është mëkat.”[2] Pejgamberi a.s. ka thënë: “ Nga kafsha gjaku i së cilës është derdhur dhe është përmendur Emri i Allahut, hani”[3]. Se të përmendurit e Emrit të Allahut xh.sh. para therjes së kafshës është kusht, vërteton edhe konsensusi i dijetarëve islamë. Është synet që të thuhet “Bismil-lahi, Vallahu Ekber”. Dijetarët islamë janë unikë në mendimet e tyre se, nëse kafsha theret në emër të diçkaje tjetër, mishi i saj është i ndaluar (haram) për myslimanët. Sipas mendimit të dijetarëve të medhhebit hanefij, mospërmendja e Emrit të Allahut para therjes, mund të jetë: 1. Me qëllim, që domethënë se, nëse para therjes nuk përmendet Emri i Allahut xh.sh. me qëllim, atëherë mishi i asaj kafshe është i ndaluar për myslimanin, dhe kjo duke u mbështetur në argumentet e lartcituara. 2. Nga harresa, që domethënë se mishi i kafshës së therur pa përmendur Emrin e Allahut xh.sh., për shkak të harresës, është i lejuar, por duhet përmendur kur të hahet. Këtë mendim e mbështesin në ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh. ka thënë: “O Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë“. Kurse sipas mendimit të Imam Shafiut, dispozita e të përmendurit të Emrit të Allahut xh.sh. para therjes, është synet, dhe nëse nuk përmendet Emri i Allahut xh.sh. para therjes, qoftë me qëllim ose nga harresa, mishi i saj është i lejuar për myslimanin. Këtë mendim Imam Shafiu e mbështet në faktin se Allahu xh.sh. lejoi ngrënien e mishit të kafshës së therur nga ata që janë Ehlul kitab, kur e dimë se Ehlul Kitabi të shumtën e rasteve nuk thonë ‘Bismil-lah’, e ky lejim është argument i mjaftueshëm që dëshmon se të përmendurit e Emrit të Allahut xh.sh. nuk është i detyrueshëm (Vaxhib). Sipas shafiinjve, kafsha e therur, mishi i së cilës nuk i lejohet myslimanit, është kafsha që është therur në emër të ndonjë sendi tjetër, sikur therej në emër të putave. Këtë mendim imam Shafiu e mbështet në hadithin e Pejgamberit a.s., të regjistruar në koleksionin e imam Buhariut, të transmetuar nga Aisha r.a., e cila njëherë e kishte pyetur Pejgamberin a.s.: “Disa njerëz që e kanë pranuar Islamin rishtazi, na bien mish, e ne nuk e dimë se a e kanë përmendur apo jo Emrin e Allahut xh.sh. gjatë therjes. Pejgamberi a.s. i kishte thënë: Përmendeni Emrin e Allahut ju, dhe hani nga ai mish”. Ky hadith është argument i mjaftueshëm që vërteton se të përmendurit e Emrit të Allahut para therjes nuk është detyrim, sepse, sikur të ishte detyrim, Pejgamberi a.s. nuk do t’i kishte urdhëruar të hanin nga ai mish, po të kishte pasur ndonjë dyshim në të. Qëndrim më rigoroz ndaj kësaj çështjeje mban Imam Maliku, sipas të cilit të përmendurit e Emrit të Allahut xh. sh. gjatë therjes së kafshës është pjesë përbërëse e veprës “Rukn“, që nënkupton se mishi i kafshës që theret pa përmendur Emrin e Allahut xh.sh., është i ndaluar për besimtarët islamë, pavarësisht nëse mospërmendja është me qëllim apo nga harresa, për arsye se, kur bëhet fjalë për harresën si dukuri aksidentale, kjo nuk mund të ndikojë tek rukni i sendit. Dobitë e Bismil-lahit dhe tekbirit gjatë therjes së kafshës Qendra shëndetësore kishte formuar një grup mjekësh ekspertë me Dr. Fajiz Al Hakim në krye, të cilët kishin për detyrim që të eksperimentonin disa çështje rreth prerjes së kafshëve. Ky grup ekspertësh kishin prerë pesë kafshë, sipas metodës së prerjes islame dhe para therjes kishin shqiptuar Bismilahin dhe tekbirin, e më pastaj kishin prerë edhe pesë të tjera sipas së njëjtës metodë, por nuk kishin shqiptuar Bismilahin dhe as tekbirin. Pastaj kishin marrë mostrat nga të dy grupet e kafshëve të prera, dhe pas 48 orësh kishin dalë me këto rezultate: Mishi i kafshëve, para therjes së të cilave nuk ishte përmendur Emri i Allahut xh.sh., ishte i mbushur përplot me baktere, në dallim nga mishi i kafshëve para therjes së të cilave ishte përmendur Emri i Allahut xh.sh., që ishte plotësisht i pastër nga bakteret. Ky rezultat ishte shpalosur në mëngjesin e 17 shtatorit 2000, në orën tetë të mëngjesit. Meqë ky rezultat mahniti të gjithë të pranishmit, u vendos që procesi të përsëritej edhe një herë në praninë e shumë mjekëve të fushave të ndryshme, dhe ky proces do të bëhej para syve të tyre e të opinionit. Kështu, në një thertore në Damask, më 26 shtator 2000, u bë therja dhe më pastaj në një laborator u bë testimi i mishit. Rezultati doli identik dhe i saktë krahasuar me rezultatet e radhës së parë, pra mishi i therur me Bismilah nuk përmbante baktere, kurse mishi i therur pa Bismilah përmbante baktere, madje edhe sosh të rrezikshme. Në anën tjetër, ngjyra e mishit të therur me Bismilah dhe tekbir kishte ngjyrën e dritës së lules thjerrëz, kurse ngjyra e mishit të therur pa tekbir ishte ngjyrë e kuqe e mbyllët, që anonte nga e kaltra. E, për sa u përket qelizave, u dëshmua se te mishi i kafshës që ishte prerë pa Bismilah, kishte ngelur gjak i rëndë, kurse te mishi i kafshëve të therura me Bismilah, nuk kishte ngelur gjak në qeliza. Në një studim kryer nga 30 studiues, dëshmohet se mishi i prerë duke përmendur Emrin e Allahut xh.sh. dhe tekbirin, është plotësisht i pastër nga bakteret, në dallim nga mishi i therur pa përmendur Emrin e Allahut xh.sh., i cili është i mbushur përplot mikrobe. Ekipi i studiuesve të lartë nga profesorët e Universitetit të Sirisë për zbulime shkencore, treguan se ka një ndryshim të madh midis mishit të prerë me Bismilah dhe të atij pa Bismilah për sa i përket pastërtisë nga mikrobet. Pastaj u ngrit sërish një ekip prej 30 mjekësh, ekspertë nga fusha të ndryshme të mjekësisë laboratorike, baktereve, viruseve, ushqimit dhe higjienës së mishit, nga anatomia patologjike, veterinaria, nga mjekësia interne, sëmundje zorrësh, sistemi i tretjes, – dhe të gjithë këta bënë kërkime laboratori biologjike dhe anatomike për më shumë se tre vjet, me qëllim të studimit të dallimit midis mishit të kafshëve të therura me Emrin e Allahut e tekbirin dhe atyre pa u përmendur Emri i Allahut xh.sh.. Në fund hulumtimi i tyre dëshmoi për rëndësinë dhe nevojën për të përmendur Emrin e Allahut dhe tekbirin në çastin e therjes së kafshës dhe shpezëve. Pra, rezultatet ishin mahnitëse në këtë drejtim dhe ata i përshkruan si mrekulli që janë mbi nivelin e fantazisë. Përgjegjësi i këtij ekipi, i cili ishte i autorizuar për komunikim me mediet, studiuesi Dr. Halid Halave, thotë: “Analizat laboratorike vërtetojnë se struktura e mishit të therur pa tekbir dhe pa Bismilah është përplot me baktere dhe qelizat e tij janë përplot me gjak, në dallim nga mishi që para therjes së kafshës është përmendur Emri i Allahut xh.sh. dhe tekbiri, që është i pastër nga mikrobet dhe qelizat e tij janë pa gjak”. Më pastaj Dr. Halave, në fjalën e tij, përshkroi se ky është një zbulim i madh, është një revolucion i vërtetë shkencor në fushën e shëndetit të njeriut dhe të sigurisë në lidhje me shëndetin dhe konsumimin e mishit nga kafshët, që vërteton se pastrimi i tij bëhet përmes përmendjes së Emrit të Allahut dhe tekbirit. Në anën tjetër, studiuesi Abdulkader Dirani ka deklaruar: “Mungesa e vetëdijes në kohën tonë për vlerat madhështore që përfshihen në përmendjen e Emrit të Allahut dhe tekbirit para therjes, kishte çuar në neglizhencë dhe harresë përmendjen e Emrit të Allahut xh.sh. në çastin e therjes së kafshës dhe shpezëve, prandaj pikërisht kjo na nxiti për parashtrimin e çështjes dhe studimin akademik të përmendjes së Emrit të Allahut”. Therësi të jetë mysliman Që të lejohet mishi i kafshës së therur, është kusht që therësi të jetë mysliman, e kjo mbështetet në ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Përveç asaj që e therët ju”. Për sa i përket therjes së kafshës nga pjesëtarë të një feje nga Ehlul kitabët, në parim lejohet të hahet nga ai ushqim, e ky mendim bazohet në ajetin kuranor, ku thuhet: “Dhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit (krishterëve dhe hebrenjve) janë të lejuara për ju, e edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ta”.[4] Në këtë kontekst, Ibni Abasi r.a. ka thënë: “Është lejuar ushqimi (therja) i çifutëve dhe të krishterëve, për shkak se ata besuan në Teuratin dhe Inxhilin”. Për sa i përket qëndrimit islam gjatë therjes së kafshëve nga idhujtarët, ateistët që nuk besojnë ose edhe të atyre që besojnë në zota të ndryshëm, si në zjarrin, yjet etj., mishi i kafshës së therur nga ata nuk lejohet për myslimanët. Për sa i përket ndalimit të mishit të therur nga ithtarët e feve të tjera, këtë e vërteton edhe hadithi i Pejgamberit a.s., i cili në një rast, kur ishte pyetur lidhur me zjarrputistët, pati thënë: “Veproni me ta ashtu si veproni me ithtarët e librit veçse mos u martoni me femrat e tyre, dhe mos e hani mishin e të therurave të tyre”. Mjeti i përdorur për therje Të gjithë fukahenjtë islamë janë unikë në mendimet e tyre se çdo mjet prerës, i cili pret e copëton, që shkakton daljen e gjakut, mund të përdoret si mjet i prerjes, dhe mishi i tillë është i lejuar. Mirëpo dijetarët islamë kanë polemizuar për tri gjëra nëse lejohet apo jo therja me to, e ato janë: dhëmbi, thoi dhe ashti. Sipas dijetarëve të medhhebit hanefi dhe maliki, lejohet të pritet edhe me to, nëse janë të nxjerra nga vendi i tyre dhe shkaktojnë gjakderdhje. Argument i tyre është hadithi i Pejgamberit a.s., ku ka thënë: “Derdhe gjakun me se të dëshirosh“, ose në transmetimin tjetër: “Preji arteriet me se të dëshirosh.” Prerja e pjesëve të caktuara Që të lejohet ushqimi i kafshës së therur, duhet të priten patjetër këto pjesë: 1. Gabzherri, organi i përcjelljes së frymëmarrjes, 2. Fyti, organi për përcjelljen e ushqimit, 3. Dy arteriet e gjakut. Sipas mendimit të Ebu Hanifes dhe Imam Muhamedit, nëse priten shumica e këtyre pjesëve, atëherë mishi i asaj kafshe është i lejuar, kurse sipas Ebu Jusufit, minimumi që duhet të theret te kafsha, në mënyrë që mishi i saj të jetë i lejuar për myslimanin, është prerja e: gabzherrit, fytit dhe një prej arterieve të gjakut. Pasojat nga mostherja islame Për prerjen e kafshëve sipas metodës joislame, flet Dr. Darim Tabai, i cili thotë: “Në disa shtete kafshët mbyten sipas mënyrës së gabuar, siç është ngulfatja, ose përmes elektrocutionit apo me plumb etj. Këto metoda të mbytjes së kafshëve i mundësojnë kafshës ngeljen e gjakut në trupin e saj, që është një fushë pjellore për rritjen dhe zhvillimin e baktereve në mënyra të ndryshme. Këto metoda të therjes së kafshëve i dhurojnë kafshës dhembje të tmerrshme, e cila reflektohet në ngjyrën e mishit që anon nga ngjyra e kaltër. Kurse me përmendjen e Emrit të Allahut xh.sh., çështja është krejtësisht e kundërt dhe kafsha përjeton sikur t’i afrohet një bote krejtësisht tjetër, botës së kënaqësisë dhe gëzimit të madh”. Në anën tjetër, Profesor Dr. Ibrahimi Mehre, profesor i kafshëve dhe sëmundjeve të shpezëve në Universitetin e Damaskut, dhe njëkohësisht edhe anëtar i ekipit kërkimor mjekësor, thotë: “Disa orientalistë pretendojnë se metoda islame për prerjen e kafshëve është çnjerëzore. Këtë mendim të tyre e mbështesin vetëm në kontraktimet dhe konvulsionet nga kafshët pas therjes. Mirëpo, në fakt, e vërteta është plotësisht e kundërta e kësaj që thonë ata. Nëse veprimi i therjes kryhet plotësisht sipas rregullit islam, duke përmendur Emrin e Allahut dhe tekbirin, atëherë ndërpriten menjëherë gjaku dhe ajri nga truri i kafshës, dhe në këtë mënyrë kafsha e humb ndjenjën e plotë”. Në anën tjetër, Muhamed Menzelxhi thotë: “Mënyra e therjes islame është më e mirë për shkak të presionit të gjakut, i cili reduktohet në mënyrë graduale derisa të bëhet pastrimi i plotë i gjakut. Metodat e tjera të therjes shkaktojnë paralizimin e pjesëve të trupit të kafshës,që shkaktojnë ngritjen e tensionit të gjakut deri në 28 shkallë, gjë që e bën kafshën të vuajë nga dhimbjet e tmerrshme prej 5 deri 10 minuta, derisa të pushojë zemra. Pastaj, pas rrjepjes së lëkurës, vërejmë se venat e gjakut janë të fryra me gjak, e kjo jep mundësinë e prishjes së shpejtë të mishit, prandaj edhe kjo është arsyeja që ata shpejtojnë që mishin ta fusin menjëherë në frigorifer për të mos u prishur, kurse mishin që është therur me Emrin e Allahut dhe me tekbir, kemi mundësi ta varrim menjëherë në shitore dhe nuk prishet, ngase përqindja e gjakut të ngelur në të është minimale. Në fund të rikujtojmë se cilat janë arsyet e ngeljes së gjakut në mish. 1. Zemra pushon me vdekjen e kafshës e gjaku nuk del me shpejtësi nga kafsha pas therjes. 2. Procesi i shokut shkakton plasjen e arterieve të vogla dhe venave të gjakut, që janë në mish dhe kështu gjaku shpërndahet nëpër mish, e më pastaj nuk ekziston asnjë mënyrë për ta nxjerrë gjakun nga mishi. Kjo mënyrë sipas nesh rezulton ngjashëm sikur gjaku te kafsha e ngordhur, e këto dy ushqime, sipas Kuranit dhe Synetit, janë të ndaluara për myslimanët. 3. Dëmi i tretë që vjen nga shoku, është çrregullimi dhe ndryshimi që shkaktohet në përbërjen kimike të mishit, i cili bëhet i pashëndetshëm dhe jokalorik. 4. Dëmi i katërt që është provuar dhe vërtetuar në disa studime evropiane që janë bërë kohët e fundit, është se prej disa goditjeve shkaktohet sëmundja e çmendurisë së kafshës, për shkak se goditja deformon procesin e funksionimit të trurit duke infektuar qelizat nervore të trurit, kur ka një vrimë në kokë, pasi të shtënat bëhen mbi kokën e kafshës. Krejt në fund, të themi se mjetet e ndryshme të goditjeve janë të dhembshme dhe torturuese për kafshët, e pra, cili njeri ka mundësi të vërë dorën e tij në një burim elektrik dhe të mos ndiejë dhembje. Pra, kujdesi ndaj kafshëve që nuk flasin dhe as ankohen, është tërësisht në përgjegjësinë tonë. __________________ (Artikulli eshte botuar edhe ne Diturine Islame, nr. 244.)
Me këtë nocion, në kuptimin gjuhësor kuptojmë veprimet ‘prerje’, ‘therje’, e këtë e vërteton edhe ajeti kuranor, ku Allahu xh.sh. thotë: “Me përjashtim të asaj që e keni therur (prerë)”.[1] Nocioni “Edh-dhekat” në kuptimin esencial domethënë: ‘freskim’, ‘pastrim’, që nënkupton se therja e pjesëve të veçanta të trupit të kafshës, e cila është e lejuar sipas normave islame, bën edhe freskimin dhe pastrimin e mishit. Me nocionin “Dhebhun” ose “dhekatun” në kuptimin terminologjik të Sheriatit islam kuptohet: ‘Prerja e pjesëve të veçanta të kafshës, mishi i të cilëve lejohet sipas normave islame.
[1] El Maide: 3.
[2] El En;am: 121.
[3] Buhariu.
[4] El Maide: 5.




