PYETJE-PERGJIGJE

Kritika ndaj Ebu Hanifes dhe përgjigjet e tyre

Imam Ebu Hanifes nuk i ka nxjerrë asnjë hadith Buhariu e as Muslimi, as gjashtë imamët tjerë të hadithit. Ky është argument se ata nuk kishin ndonjë konsideratë ndaj tij, ose se ai nuk ishte...

Mosngritja e duarve në Namaz. Ja mbi 40 argumente pro medh’hebit hanefi

  Çështja e Ref’ul-Jedejn: Hyrje Në këtë artikull do t’u sjellim katërdhjetë e dy (42) argumente sahih për çështjen e mosngritjes së duarve në medh’hebin hanefi. Ky artikull ...

Qabja, vend i shenjtë

  • PDF

Qabja është Shtëpia e shenjtë e Zotit, që ndodhet mu në mes të Xhamisë së Shenjtë të qytetit të Mekës, në Arabinë Saudite. Kubi i zi në formë kutie është mjaft i njohur për njerëzit e të gjitha besimeve, për shkak të pamjeve që përcillen nga Arabia Saudite çdo vit gjatë kohës së kryerjes së haxhit. Zakonisht, kur njerëzit hasin këto pamje, gjithë vëmendja e tyre përqendrohet te kubi i zi që qarkohet nga mijëra-mijëra adhurues të Zotit. Kjo është Qabja.

Allahu e bëri Qaben, Shtëpinë e Shenjtë, një vend jetësimi (për çështje të fesë dhe të jetës) për njerëzit, për muajin e shenjtë dhe kurbanin…(Kur’ani, 97).

Qabja është vend i shenjtë në fenë Islame, ndërkohë që kibla është drejtimi që myslimanët marrin kur i drejtohen ritit të faljes. Quhet Qabe, ngaqë ka një formë të tillë, fjala ka’b, në gjuhën arabe do të thotë kub. Ka raste që Qabja njihet edhe si El Bejt El Atik, apo shtëpi e lirisë. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë se i është vënë ky emër për shkak se Zoti e mbrojti atë nga rënia nën sundimin e tiranëve.

Qabja është ndërtuar me gur graniti të sjellë nga kodrat pranë Mekës, ajo është 15 metra e lartë, ndërsa përmasat anësore 10.5 X 12m. Sot, Qabja është e mbuluar me një copë mëndafshi të zi të zbukuruar me një shkrim të qëndisur me fije të arta, që njihet ndryshe si Kisuah.

Në pjesën jugperëndimore të Qabes ndodhet një mur gjysmë-hark, që përfaqëson kufirin, ose siç njihet ndryshe el hatim. Hyrja për në Qabe mundësohet përmes një porte 2.13 metra të lartë, që ndodhet nga ana veri-lindore e murit. Brenda, dyshemeja është prej mermeri dhe muret janë të veshura po me mermer, deri në gjysmë lartësi.

Ajetet kuranore janë shkruar në lastra të vendosura në brendësi të mermerit dhe pjesa e sipërme e murit të brendshëm është e veshur me copë në ngjyrë të gjelbër dhe zbukuruar me shkrime të qëndisura me fije të arta. Llambadari është i varur në një shtyllë transversale, atje ndodhet edhe një tryezë e vogël për aromatizuesit. Kujdestarët e Qabes e parfumosin edhe mermerin e veshur me aromatizues vajor. I njëjti aromatizues përdoret për të vajosur edhe pjesën e jashtme të Gurit të Zi.

Guri i Zi, një gur i lashtë dhe i bekuar, është i vendosur në pjesën lindore të Qabes, një metër e gjysmë mbi tokë. Profeti Muhamed ka thënë: “Guri i Zi ka zbritur nga Xheneti dhe ka qenë më i bardhë se qumështi, por gjynahet e bijve të Ademit e kanë bërë të zi”.

Studiuesit myslimanë ndajnë mendime të ndryshme se kush e ka ndërtuar Qaben. Disa thonë se është ndërtuar prej engjëjve. Të tjerë janë të mendimit se babai i njerëzimit, Ademi (a.s.), është ai që ndërtoi Qaben, por pasi kaluan disa shekuj moskujdesjeje, ajo qe rrënuar, për shkak edhe të trazirave të kohës. Më pas u rindërtua nga profeti Ibrahim dhe djali i tij Ismaili (a.s.). Të gjithë bien në një mendje se Qabja është ndërtuar a rindërtuar nga profeti Ibrahim (a.s.).

Dhe (kujto) kur Ibrahimi dhe (djali i tij) Ismaili ngritën themelet e Shtëpisë (Qabes në Mekë), (duke thënë) “Zoti ynë! Prano (këtë shërbim) prej nesh. Me të vërtetë, Ju jeni i Gjithëdëgjueshmi, i Gjithëdijshmi! (Kur’ani, 17).

Që nga ajo kohë, Qabja është rindërtuar disa herë. Nga amalekitët, fisi i Jurham-it, Qusayy ibn Kilaab, nga fisi i kurejshëve dhe disa herë të tjera pas shpërfaqjes së Islamit. Shkurt, përpara se të niste misioni i profetit Muhamed (a.s.), Qabja ishte e ndërtuar me gurë, pa çimento, dhe nuk ishte më e lartë se një shtat njeriu. Njerëzit i patën vjedhur thesaret nga Qabja, kështu që kurejshët vendosën ta rindërtojnë dhe t’i vënë çati. Çdo fis mblodhi materiale ndërtimi dhe punuan së bashku deri sa erdhi koha që të vendosej në të edhe Guri i Zi. Për shkak të bujës që shkaktoi vendosja e Gurit të Zi, argumentet shpërthyen sheshit. Abu Umejah ibn el Mugirah, një prej më të vjetërve në moshë, tha: “O kurejshë, bini në një mendje për çka po sherroseni. Lëreni të parin që do të vërë këmbë në këtë Portë, që të vendosë për çështjet tuaja”.

I pari që vuri këmbë në derë ishte Muhamedi (a.s.), i njohur deri asokohe si El Emin (besniku). Ai dha mendimin që ta vendosnin Gurin e Zi në një pelerinë, secili nga fiset të mbante një cep të saj dhe fama do të shpërndahej njëtrajtësisht mes fiseve. Guri i Zi mbërriti në Qabe pikërisht në këtë mënyrë, dhe më pas, Muhamedi e vendosi gurin në vendin e tij. Qabja përbëhet nga katër qoshe. Së fundi, është mjaft e rëndësishme të kuptohet se myslimanët nuk adhurojnë Qaben apo çfarë gjendet rrotull saj. Ajo është thjesht kibla, një drejtim të cilin marrin myslimanët për t’u falur. Prandaj edhe mbart kaq rëndësi.

Përshtati: Zamir Gjurgji